Ndërron jetë 5-vjeçarja që u godit me veturë në Kaçanik

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 5-vjeçarja që u godit nga një veturë më 14 qershor në Stagovë të Kaçanikut, ka ndërruar jetë sot në QKUK.

Ajo ishte goditur nga vetura e drejtuar nga zyrtari policor, S.M., 51-vjeçar i cili në momentin kur ndodhi aksidenti ishte jashtë orarit të punës, shkruan lajmi.net.

“Me datën 14:06.2021 rreth orës 20:07 në fshatin Stagovë të Kaçanikut , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, e përfshirë një automjet civil i udhëtarëve, i drejtuar nga L.D (M/K/SH) 51 vjeçar dhe një këmbësor , S.M (F/K/SH) 5 vjeçare. Drejtuesi i automjetit është zyrtar policor, në momentin e aksidentit , ai ishte jashtë detyre. Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjës ‘’Dashi’’ në drejtim të magjistrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi ‘’ të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, ku në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, ku i shkakton lëndime të rënda trupore. Drejtuesi i automjetit, këmbësoren e lënduar e dërgon në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kaçanikut. Pasi merr ndihmën e parë mjekësore aty, e njëjta dërgohet për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Sot, me datën 29.06.2021, në ora 05:37, jemi njoftuar nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, se këmbësorja S,M e cila ishte duke u trajtuar në repartin intenziv, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në këtë aksident , e njëjta ka ndërruar jetë”, njofton policia nëpërmjet një komunikate për media.

Inspektorati i Policisë së Kosovës është njoftuar në ditën e aksidentit dhe është rekomanduar suspendimi i përkohshëm të policit të involvuar në këtë aksident.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, zyrtari policor ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, për të kaluar pastaj në procedurë të rregullt.