OBSH-ja përsërit: Vaksina e “AstraZenecas” është e sigurt

Një panel ekspertësh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se vaksina e “AstraZenecas” kundër koronavirusit është e sigurt, një ditë pasi autoritetet në Gjermani kufizuan përdorimin e saj për njerëzit nën 60-vjeç për shkak të shqetësimeve për mpiksje të gjakut te një grup njerëzish.

Drejtoresha e Departamentit për Imunizim e Vaksina, Kate O’Brien, ka thënë se “ishte e qartë” që vlerësimi i përgjithshëm mbi vaksinën peshon kah të mirat që ajo sjell.

O’Brien i bëri këto deklarime në Grupin e Ekspertëve Këshillues të OBSH-së për imunizim, ku u prezantuan gjetjet me fokus në statusin e vaksinave për COVID-19, Ebolas dhe sëmundjeve tjera.

Alejandro Cravioto, që është shef i panelit të ekspertëve të OBSH-së për imunizim, ka thënë se dy vaksinat kineze nga “Sinovac” dhe “Sinopharm” deri tani kanë dëshmuar “nivel të efikasitetit që do të përshtatej me kërkesat e OBSH-së”.

Duke folur para gazetarëve të mërkurën, ai ka thënë se këto nivele kërkojnë së paku 50 për qind efikasitet, ndërsa është preferueshme të jetë mbi 70 për qind.

Në Kosovë, janë dorëzuar ditë më parë 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas”, të cilat erdhën nëpërmjet programit “COVAX”.