Olluri pyet Haradinajn: Pse po heshtni për VV-në, Kurtin e keni quajtur mashtrues

Gazetari Parim Olluri thotë se këtë vit fushata zgjedhore e AAK-së është ndryshe prej herëve të tjera.

Ai duke u bazuar në shkrimet e mediave, thotë se AAK nuk po e kritikon VV-në pasi mund të ketë një marrëveshje paraprake VV-AAK që pas 14 shkurtit, Kurti të jetë kryeministër e Haradinaj president.

“Interesant më duket mënyra qysh sivjet është duke bërë fushatë AAK’ja. Na jemi mësuar me Aleancën prej herëve të kaluara me qenë më brutale dhe rivale e ashpër e konkurrentëve në fushatë zgjedhore. Keni pasur deklarata më të fuqishme kundër rivalëve politikë. Ka fërkime të lehta me PDK’në, Nismën e LDK’në por ajo çka duket shumë e pazakontë nuk ka asnjë koment lidhur me fushatën që e bën Vetëvendosja. Duket se nuk ka një betejë frontale me VV’në, herëve të kaluara keni qenë shumë i zëshëm duke e quajtur Kurtin mashtrues”, thotë Olluri në Pressing.

“Supozohet, marrë parasysh shumë shkrime që janë shkruar, keni një marrëveshje paraprake me z.Kurtin për tu bërë ju president pas 14 shkurtit. Sa i besoni z.Kurtit, sa do ta realizojë ai këtë kur ai me fillim e ka nominuar Vjosa Osmanin për presidente. Për mendimin tim është veprimi i parë i mosmbajtjes së fjalës?”, shtoi Olluri.

“Nuk kemi marrëveshje paraprake me Vetëvendosjen. Termat e një marrëveshje i tregon qytetari”, tha Haradinaj.