​AAK kërkon që Projektligji për paga të përfshihet në buxhetin e vitit 2022

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkon që Projektligji për paga të përfshihet në buxhetin e vitit 2022.

Iniciuesi i debatit parlamentar për pagat në sektorit publik, deputeti, Besnik Tahiri, tha se kjo do t’i ndihmonte qeverinë nga presioni i sindikatave, pasi i njëjti do të hynte në fuqi më 1 mars.

“Përmes këtij debati dëshirojmë që të dakordohemi të buxhetojmë ligjin e pagave që do të hyjë në fuqi më 1 mars. Amendamentin që e kemi propozuar të gjejë formën të hyjë në buxhet, kjo i ndihmon qeverisë, pasi e ulë edhe presionin e sindikatave”, tha ai.

Tahiri adresoi kritika ndaj ekzekutivit për vonesa në procedimin e ligjit për paga në Kuvend, sipas tij, ekzekutivi po e neglizhon të projektligjin ose janë të pazotë për tu marrë me tema madhore.

“Ka ndodhur një neglizhencë e cila është ose mungesë e vullnetit politik për të shtyrë përpara këtij projektligj ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe, ose një dëshirë në agjendën legjislative ose planin e qeverisë, pasi s’ka asnjë veprim të deritanishme. Synimin me këtë debat nuk e kemi që të kemi një betejë partiake politike, por qëllimi jonë është fisnik që bashkërisht këtë ligj me shty përpara”, tha ai.