Osmani të hënën në Shqipëri, pritet nga Begaj e Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 4 shtator të hënën do të nis vizitën e saj dyditore në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Osmani do të takohet fillimisht me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Përveç Begajt, Osmani do të ketë takim kokë më kokë edhe me kryeministrin Edi Rama, takim ky i cili do të pasojë me një takim të dytë në mes të delegacionit të Osmanit dhe atij të Ramës.

E para e shtetit takim do të ketë edhe me kryetaren e kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Osmani gjatë qëndrimit në Shqipëri do të vizitojë edhe Bashkinë e Beratit dhe atë të Durrësit.

Në Berat, Osmani do të pritet nga kryetari i Bashkësisë, Ervin Demo ndërsa në Durrës nga kryetari i Bashkësisë, Emiriana Sako.

Osmani në Durrës gjithashtu do të vizitojë pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Ndryshe Osmani një ditë më parë uroi presidentin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Bajram Begajn dhe Edi Ramën, për marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga Shqipëria.

“Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht”, shkroi Osmani në platformën sociale të emëruar rishtari “X”.