Pacolli i reagon mbesës së Thaçit: Pyeteni atë se pse hoqi dorë nga fjalimi në Bruksel

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka reaguar ndaj deputetes së PDK-së Evgjeni Thaçi rreth deklaratave të kësaj të fundit, se përfaqësuesit e Vetëvendosjes, gjegjësisht deputetja Pacolli nuk i qëndron besnike politikës së përbashkët dhe mundohet që politikën populiste ta shpreh në takime që kemi me përfaqësuesit evropianë.

Pacolli përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se deputetja e PDK-së ka shpifur kur ka thënë se nuk i përfaqëson interesat e Kosovës.

Pacolli ka thënë se me deputeten e PDK-së ka patur vetëm një udhëtim të përbashkët në Bruksel më 19 deri më 22 nëntor 2017.

Deputetja e Vetëvendosjes ka ndarë disa momente nga ky takim, ku sipas saj deputetja e PDK-së nga frika se nuk do të mund të jetë folëse dhe udhëheqëse e grupit është tërhequr dhe më pas është caktuar Pacolli si përfaqësuese.

“Në këtë seminar ishin të ftuar deputetët e rinj të Ballkanit Perëndimor. Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishim 4 deputetë me ç ‘rast nga ne ishte kërkuar që njëri të jetë folës/udhëheqës i grupit. Disa ditë para udhëtimit deputetja Thaçi ishte caktuar si folëse. Nuk e di nga kush. Por, kur arritëm në Bruksel duke parë paraqitjen e deputetëve tjerë nga rajoni, ajo u tërhoq. Mund ta pyesni atë pse. Ajo e din. Më pas më caktuan mua si përfaqësuese të grupit për të cilën gjë u pajtua edhe vet deputetja e PDK-së. Në këtë seminar kishte edhe përfaqësues të shoqërisë civile e forumeve rinore nga Kosova” ka thënë Pacolli.

Ajo më tej ka shtuar se pas fjalimit drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Ruiz Calvera e ka ftuar që të bisedojë më të dhe të thellonin diskutimin.

“Deputetja e PDK-së nuk ishte ftuar në tavolinë dhe nuk e di se çfarë kam biseduar më tutje, por, ajo ishte prezente dhe ka dëgjuar fjalimin tim. Mungesën e dijes dhe guximit nuk mund ta mbulojë me shpifje e trillime” ka përfunduar Pacolli.