Pacolli, Kurtit: Ulu në karrigen e parë dhe shiko gjendjen e rrugëve

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të mos e mbajë paranë e bllokuar, por të investojë në përmirësimin e rrugëve.

Pacolli merr shembull rrugën Prishtinë-Gjilan, ku kërkon nga Kurti që në rrugëtimin e parë, të ulet në makine në ulësen përpara dhe të shoh gjendjen e rrugëve.

“Nuk e di se sa i frekuenton rrugët regjionale të Kosovës, z.Kurti. Ndoshta nuk ka kaluar që moti rrugën Prishtinë-Gjilan sepse do ta vërente situatën katastrofale të kësaj rruge. Por, sigurisht ka dëgjuar për aksidentet e shumta që ndodhin si rezultat i mosmirmbajtjes së asaj rruge. Mos te flasim për dëmin e makinave dhe rrezikun permanent për këmbësorët. I lutem kryeministrit që në rrugëtimin e parë, të ulet ne makine në ulësen përpara dhe të shoh gjendjen e rrugëve. Ndoshta i mbushet mendja që të përdor buxhetin në këto investime, e jo ta mbajë paranë e bllokuar”, ka shkruar ai.