PDK: Afera “Karteli i Rrymës” lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet, kërkojmë hetim nga prokuroria dhe Parlamenti

Nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili dhe Vlora Çitaku kanë denoncuar sot aferën “Karteli i Rrymës”, në të cilin është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ata kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berisha dhe fillimin e menjëhershëm të një hetimi nga Parlamenti dhe prokuroria.

Uran Ismaili ka thënë se kjo aferë lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet.

“Sot jemi këtu për të ngritur zërin në emër të qytetarëve tanë dhe për të dënuar aferën e “Kartelit të Rrymës”, që tani ka depërtuar në majet më të larta të institucioneve dhe të partisë në pushtet. Ne kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme për të themeluar një komision parlamentar hetimor, që do të hetonte procesin e shpenzimit të 100 milion eurove të dedikuara për blerje të rrymës. Kjo e drejtë kushtetuese e deputetëve e penguar nga Kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka për qëllim që të mbajnë larg dritës kontratat e shitblerjes së rrymës, sepse, kështu do të zbulohej rrjedha e parasë si dhe lidhjet potenciale të Kartelit të Rrymës me bashkëpunëtorët e Kryeministrit Kurti”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se raportimet e shumta financiare të kompanisë të Serbisë nga parat e 100 milionshit, duke se janë vetëm fillimi i një bunari të thellë korruptiv, ku miliona euro të qytetarëve janë shpërndarë në transaksione me kompani serbe, e për më keq, ka dyshime të mëdha për transaksione edhe me kompani ruse.

“Prandaj, një hetim parlamentar ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tani është interes kombëtar. Komision parlamentar, i përbërë nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile, ku të gjithë së bashku do të hetonim se Ku, Si dhe Kujt u janë dhënë këto miliona euro të taksave tona.”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Ismaili.

Të gjeturat tregojnë se në janar të këtij viti, atë kohë kur Qeveria me paaftësinë e saj e zhyti vendin në krizë energjetike, raportohet se KEK-u ka shitur energji elektrike Kompanisë GEN-I me çmim prej vetëm 105 euro për megavat. Në të njëjtën periudhë, KEK-u ka blerë energji elektrike nga kompania me seli në Beograd me një çmim prej 255 euro për një megavat.

“Pra, Kosova ka blerë shtrenjtë, e Beogradit i ka shitur lirë. Ajo që tani dihet është që gjatë muajit dhjetor dhe janar, për dy muaj, është blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milion euro nga kompania GEN-I me seli në Serbi, e nga dëshmite që janë zbardhur nga mediumet sllovene paraqitet lidhja se Martin Berisha është paguar rreth 600 mijë euro nga kjo kompani.”, ka thënë më tej ai.

Ambasadori i Kosovës i emëruar politikisht, Martin Berishaj e ka mbajtur sekret kompaninë në fjalë. I njëjti nuk e ka deklaruar as në formularin e deklarimit të pasurisë.

Prandaj, sipas nënkryetarit të PDK-së, është shumë shqetësuese niveli i shtrirjes, që përfshinë shumë institucione: prej Ambasadës së Kosovës në Kroaci, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, deri te kupola e gjithë këtij rrjeti: Kryeministri dhe Presidentja e Republikës së Kosovës.

“Ende sot nuk ka një pergjigje të qartë nga Kryeministri Kurti po Znj Osmani, është apo nuk është paguar Martin Berisha nga GEN-I? A është e vërtetë që Ambasadori Berisha ka pasur apo ka kontratë me kompanine GEN-I? A ka fillur prokuroria hetimet për pagesat e paraqitura në mediumet sllovene qe kapin vlerën e 600 mijë eurove?”, ka pyetur më tej Ismaili.

Në fund, Ismaili ka thënë se të gjitha këto na ndihmojnë të kuptojmë situatën dhe tregojnë pse është ngritur çmimi i rrymës.

Ndërkaq, nënkryetarja tjetër e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në vend që diplomacia kosovare të jetë e angazhuar tani të shfrytëzojë rastin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ajo është përfshirë në një skandal

“Për shkak të rrethanave përtej nesh, është krijuar një mundësi e artë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, për shkak të përjashtimit të Rusisë, në vend se të gjitha resurset tona politike e shtetërore të jenë në funksion të jetësimit të këtij qëllimi madhor, diplomacia e Kosovës duke të jetë e përfshirë në një skandal të madh.”, ka thënë nënkryetarja Çitaku.

Më tej, ajo ka thënë se Qeveria dhe Presidenca nuk janë as gjykatës as prokuror. Prandaj, duhet ta shkarkojnë menjëherë ambsadorin Berisha.

“Ata duhet të ndërmarrin hapa institucional dhe politik. Shkarkimin e menjëhershëm të zotërit Berisha nga pozita e ambasadorit. Unë ju them me bindje se nga dje, ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë detyrën e tij. Madje, ai ua ka bërë më të vështirë punën edhe ambasadorëve tjerë tanë në vendet e rajonit. Ambasadori Berisha të shkarkohet menjëherë e ti lë rrugën e lirë drejtësisë që të bëjë punën e saj.”, ka thënë Çitaku.

Në fund, nënkryetarja Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë themelimin e Komisionit Parlamentar Hetimor për Energjinë, që kjo çështje të zbardhet në përpikëri.