PZAP merr vendim për ankesën e Bekim Jasharit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka refuzuar ankesat e kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari për pretendimet e parregullsive gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor.

Kryetari aktual që synonte edhe një mandat qeverisës në Skenderaj bëri ankesë në PZAP duke kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen votat në disa vendvotime. Por që PZAP ka refuzuar këtë kërkesë të Jasharit.

Në vendim të PZAP-së thuhet se “Refuzohet e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit, për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”.

Ndryshe përqindjen më të madhe të votave në Skenderaj ka arritur ta marrë kandidati i PDK-së, Fadil Nura.

Kësisoj pas zgjedhjeve të 17 tetorit dhe rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, Skenderaj do të drejtohet nga Fadil Nura për një mandat 4 vjeçar, që deri tani u udhëhoq nga Bekim Jashari.