Përjetime bashkatdhetarësh: Vendlindja nuk ka çmim…

Bashkatdhetarët na bëjnë në ndihemi krenarë, bashkatdhetarët, me dinjitetin e tyre të pacenuar, me qëndrimin e palëkundur në përcaktimin e tyre kombëtar dhe me pozicionet e tyre humane e njerëzore sikur na ringjallin ndjenjët tonë të zvetënuar të marrëdhënieve tona farefisnore e miqësore, duke na e rikujtuar të kaluarën tonë të dinjitetshme, me të cilën mburreshim dikur…

Mbrëmje, 9 gusht 2019, periferi e Prishtinës. Isha ftuar nga disa miq të paraluftës, me të cilët na kishin lidhur përveç një rini e mëhershme, edhe aktivitete të ndryshme, me të cilët kishim kaluar shumë sfida e situata nga më të rëndat e kohës, prandaj çdo takim me ta më kthen në të shkuarën tashmë të largët, të mbushur më plot ngjarje e kujtime të paharruara…

Jorastësisht disa nga këta miq janë edhe lexues të rregullat të portalit albinfo.ch, e kishte rastisur që njëri prej tyre e kishte lexuar një shkrim të publikuar para disa ditësh, të cilin, jo me qëllim të keq, por sipas peceptimit të tij personal e kishte marrë si provokues, prandaj edhe duke e ditur bashkëpunimin tim me portalin, që në fillim të ndejës u shpreh: “Më duhet të shpreh pakënaqësinë time lidhur me titullin, respektivisht me mënyrën si është shtruar vetë titulli i shkrimit, pa e kontestuar vërtetësinë e përmbajtjes….”

Në fillim e mora si diçka me efekte relaksuese të këtij muhabeti, por në ndërkohë u inkuadruan në bisedë e sipër edhe tre të tjerët, po mërgimtarë, dy nga të cilët janë në Gjermani, e tjetri në Suedi.

Sipas tyre, po të kishin gjykuar mërgimtarët nga kjo anë, pra e kostos së rrugës për në Kosovë, që moti ishte dashur të mos udhëtonin drejt saj, sepse e dimë që kostoja e rrugës për në Kosovë, qoftë me anë të veturave, e sidomos me aeroplan është ndër më të shtrenjtat në rajon, për të mos thënë edhe më gjerë.

“Jo, bre burrë, nuk shtrohet ashtu çështja. Për mua ka qenë fyerje t’i qasesh ashtu kësaj teme, po them kur e lexova, e pashë që gazetari ka paraqitur fakte të sakta, ama titulli, bre vëlla, ‘sa kushton rruga drejt atdheut’ sikur më provokoi…”

Kur unë i reagova, në bisedë e sipër, miqësisht, se vërtet teksti ka pasur qëllim analitik dhe sqarues…dhe kurrsesi provokues, ai ma ktheu: “Po, po, s’po e kontestoj këtë, por të shtrosh një çështje të tillë ashtu, ‘sa kushton rruga drejt atdheut’ është e çuditshme…”

Duke u përfshirë në këtë debat edhe një tjetër mërgimtar sikur i dha krah bashkatdhetarit të tij nga Suedia, duke u shprehur: ”Vërtet po të gjykonim ne nga kjo anë, as që ishte dashur të udhëtonim ndonjëherë…Më lirë më ka kushtuar një udhëtim deri në Egjipt, se deri në Prishtinë, në sezonë është fjala, ama krejt bota le të jetë në njërën anë, vendlindja nuk ka çmim…”

Dhe, kështu, në bisedë me këta bashkatdhetarë, del në pah se me gjithë koston e pushimeve të tyre në vendlindje, nuk ka rrugë tjetër që e kompenson mallin për të, nuk ka pushime që mund të zëvendësohen me Kosovën, nuk ka destinacione të tjera udhëtimi që përjetohen sikur këto në vendlindje. “Jo, more mik, një muaj më herët, që nga qershori filloj t’i ndjej pushimet në Kosovë, larg më duket korriku, se gushti hiç se hiç…Ka natë që sikur as ora nuk ecë, e kur vjen dita e nisjes, sikur as mëngjesi nuk do të agojë, sa larg më duken minutat e nisjes…”

E kur unë i them se në vitet e para të shkuarjes, të paraluftës gjithsesi, mbase edhe do ta kuptoja atë ndjenjë, por tani, gati pas 30 vjetësh në kurbet… njëri prej tyre ma ktheu: ”Po flas për vete, se edhe unë dëgjoj gjithçka, se jo jemi mërzitur nga rruga e gjatë, nga pritjet në kufi, nga…çka jo tjetër, por unë deri sa ta kem shëndetin nuk pyes as për kufij, as për pritje, as për kosto…këtu e ndjej frymëmarrjen tjetër…këtu më flen syri, këtu më pushon shpirti dhe çmallem… le çka thonë të tjerët”.

Vërtet çka t’i shtohet një muhabeti të tillë, kur reagon tjetri bashkatdhetar dhe moshatar imi: “O, krejt pjesa tjetër e vitit nuk e ka peshën e një ndeje, e një muhabeti dhe ndjenje të këtillë…Ju po na mbani gjallë, shpirtërisht po them, pa këto përjetime në vendindje me të afërmit tonë, me miqtë e shokët e fëmijërisë dhe rinisë, asgjë nuk do të kishte kuptim…e kush pyet për koston, more burrë…”

Biseduam edhe shumëçka tjetër, diskutuam nga e kaluara e largët, por jo e harruar, e deri te e sotmja jonë shoqërore, e sidomos politike, të cilët sado shprehën zhgënjim e fjalë jomiradie për realitetin tonë aktual, megjithatë një gjë më bëri të ndihem mirë: bashkatdhetarët na bëjnë në ndihemi krenarë, bashkatdhetarët, me dinjitetin e tyre të pacenuar, me qëndrimin e tyre të palëkundur në përcaktimin e tyre kombëtar dhe me pozicionet e tyre humane e njerëzore sikur na ringjallin ndjenjët tonë të zvetënuar të marrëdhënieve tona farefisnore e miqësore, duke na e rikujtuar të kaluarën tonë të dinjitetshme, me të cilën mburreshim dikur….