Përleshje tjetër në zgjedhjet e PDK-së në Pejë – arrestohet një person

Të dielën në mbrëmje është arrestuar një person në Pejë, pasi që dyshohet se i njëjti ishte përfshirë në një përleshje fizike në degën e Partisë Demokratikë të Kosovës në Pejë.

Kjo përleshje fizike ka ndodhur gjatë zgjedhjeve për njërën nga degët e Pejës në shkollën “8 Marsi”.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar për shkaktimin e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Gjatë tubimit partiak të mbajtur mbrëmë në qytetin e Pejës, si pasojë e një përleshje fizike, prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm ka ndaluar për 48 orë, një person të dyshuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme dyshohet të ketë ndodhur edhe një tjetër përleshje fizike gjatë kuvendit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës në fshatin Raushiq të Pejës.