Përplasje mes Kurtit e Abdixhikut për akcizën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku kanë debatuar në Kuvend lidhur me uljen e TVSH-së dhe akcizën.

Gjatë seancës Kurti pati kritik për propozimet e opozitës për ulje të TVSH-së dhe akcizës për tre muaj me mundësi për tre të tjerë, pasi sipas tij, “populli nuk jeton veç tre apo gjashtë muaj”.

Ai ka thënë se shumë shtete që kanë bërë ulje të TVSH-së apo akcizës, janë penduar kur ka kaluar ai afat

“Këto propozime tregojnë gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin. Nuk jeton populli veç tre muaj apo gjashtë muaj. Shumë shtete që kanë bërë ulje të TVSH-së apo akcizës, janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e nevojshme të ndihmohen shtresat e nevojshme, pa e dëmtuar buxhetin. 3+3 është shprehje e mungesës së idesë”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë përdorur praktikën e 3+3-shit.

Sipas tij, kjo pasi nuk dihet çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë.

“Kompleksiteti dhe ndërlikueshmëria e bëjnë problemin më të madh. Sot, naftën e ke caktuar të jetë 1.89 euro dhe je duke i marrë 60 centë TVSH e akcizë. Ti mund të vendosesh ta heqësh TVSH-në e akcizën, dhe nafta mund të jetë 1.39 euro. Pse po e komplikon një gjë të thjeshtë? Tatimi është i njëjtë, por barra më e madhe. Tash nafta është bë 1.89, je t’u marrë më shumë, pa nevojë. Po flasim për lëndën e parë. Shtrenjtohet nafta 10 centë, shtrenjtohen qindra produkte të tjera dhe nuk mund t’i luftosh. Dhe 3+3 sepse të gjitha vendet e BE-së e kanë bërë një gjë të tillë. Ne nuk e dimë a do të përfundojë lufta, çfarë do të ndodhë. Jepeni ju një propozim. Këtu është Kuvendi, këtu është vendi”, deklaroi Abdixhiku.