Petkoviq: Kurtit të mos i shkojë mendja t’i heqë barrikadat me forcë

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’ pranë qeverisë serbe, Petar Petkoviq, i reagoi sot deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për barrikadat e vendosura në Veriun e Kosovës duke kërcënuar se çdo veprim i tij do të nxiste eskalim.

Petkoviq përpos retorikës akuzuese se kryeministri Kurti paska qëllim të dëbojë të gjithë serbët nga Kosova ai shtoi edhe një kërcënim.

“Do të ishte mirë që Kurti të koordinohej me vetveten dhe menjëherë ta lirojë Dejan Pantic, që të tërheqë policët special të armatosur me armë të gjata nga Veriu i Kosovës që s’mund të jenë prezent atje, si dhe të heqë listat e përndjekjeve e arrestimeve të serbëve, dhe gjithsesi të përmbushë obligimin dhe të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe”.

Petkoviq ia mësyu të shpjegojë edhe detyrat e KFOR-it dhe kryeministrit Kurti rreth garantimit të të drejtave të serbëve në Veri. Ai kërcënoi tutje se heqja e barrikadave do të dilte nga kontrolli.

“Kurti mos ta mendojë që me dhunë t’i heqë barrikadat, pasi ato janë së pari si përgjigje ndaj dhunës, e çdo veprim i ri i dhunshëm nga ana e Kurtit do të rrezikonte nxitjen e eskalimit që nuk do të mund ta kontrollojë” tha Petkoviq.

Kryeministri Kurti të hënën ka deklaruar se barrikadat në Veri nuk mund të tolerohen për një kohë të gjatë.