“Po rrezikohet drejtësia” – Avokati i Thaçit ngre alarmin për një propozim të prokurorisë për dëshmitarët

Një çështje e intervistimit të dëshmitarëve në Speciale po e shqetëson avokatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Greogory Keohe në Hagë.

Protokolli i propozuar nga Prokuroria e Hagës për intervistimin e dëshmitarëve po refuzohet ashpër nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Speciale, shkruan lajmi.net.

Sipas avokatit Keohe, protokolli i propozuar nga Prokuroria shkel të drejtat themelore të ish-presidentit Thaçi, duke vënë në këtë formë masa mbrojtëse shtesë, megjithëse sipas avokatit Prokurorisë i ka kaluar koha për një gjë të tillë.

“Mbrojtja për z. Hashim Thaçi i përgjigjet parashtresave të Sekretarit për Protokollin e Propozuar për Intervista me Dëshmitarë. Mbrojtja i qëndron parashtresave të mëparshme ku thekson se protokolli i propozuar nga Prokuroria shkel të drejtat themelore të z. Thaçi dhe përbën një përpjekje për të shtuar shumë masat mbrojtëse, ndërkohë që PSP-së i është ndaluar koha për ta bërë këtë”, thuhet në parashtresat e Keohes.

Ky i fundit, alarmon se drejtësia e gjykimit për të akuzuarit është në rrezik, pasë parasysh se çështja e intervistimit të dëshmitarëve është thelbi i hetimeve të mbrojtjes.

“Duke pasur parasysh përgjigjet e kufizuara të dhëna dhe pyetjet e shumta të ngritura nga Sekretaria, Mbrojtja rithekson se miratimi eventual i një protokolli për kontaktet me dëshmitarët dhe trajtimin e informacioni konfidencial gjatë hetimeve kërkon një debat të plotë në prani të palëve, pjesëmarrësve dhe Sekretarisë. Këto çështje janë thelbësore për hetimet e mbrojtjes. Drejtësia e gjykimit për të Akuzuarit është në rrezik”, ka thënë Keohe.

Avokati i Thaçit tutje thekson se çdo regjim i miratuar duhet të sigurojë mbarëvajtjen e procesit të intervistimit të dëshmitarëve, në atë formë që askush të mos detyrohet të dëshmojë kundër vetes së tij.

“Siç u parashtrua më parë, është kritike që çdo regjim i miratuar të respektojë të drejtat themelore të të Akuzuarit, të tilla si të drejtat për të pasur kohën dhe lehtësitë e duhura për përgatitjen e mbrojtjes së tij, për të marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe për praninë dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në emër të tij në të njëjtat kushte si dëshmitarët kundër tij, dhe të mos detyrohet të dëshmojë kundër vetes apo të pranojë fajin e tij, siç garantohet me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin N°05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Konventën Evropiane mbi të drejtat e njeriut. Në mënyrë të ngjashme, Mbrojtja nuk duhet të detyrohet të zbulojë produktin e saj të punës së mbrojtjes (duke përfshirë hetimet dhe teoritë e tij hetimore dhe fushat e interesit), të privilegjuar në përputhje me rregullat 104, 106 dhe 111 të Rregullores së Procedurës dhe Provave”, thuhet tutje në parashtresat e avokatit Keohe.

Ndryshe, krerët e UÇK-së janë në pritje të vendimit të Apelit mbi ankesën e tyre për refuzimin e paraburgimit nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake.

Specialja ndërkaq nuk e ka bërë ende të ditur panelin e Apelit që e ka caktuar të merret me këtë rast.