Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Klinë

Sot rreth orës 14:40 ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në fshatin Gremnik të Klinës.

Përmes një njoftimi nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Pejës, kanë bërë të ditur se në këtë aksident ishin të përfshira tri automjete, dy automjete (kombi) dhe një mjet bujqësor (traktor).

“Njëri automjet kombi ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Gjakovës në drejtim të Klinës dhe më të arritur në fshatin Gremnik, iu është ndërprerë rruga nga mjeti bujqësor i cili ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt, dhe në tentim që të futet në të majtë (në rrugë anësore) goditet nga ky automjet (kombi), kurse mjeti tjetër transportues (kombi) ishte në drejtim të njëjtë me mjetin bujqësor por ka pësuar vetëm dëme materiale nga inercioni dhe një pjesë e shkëputur e mjetit bujqësor”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e këtij aksidenti ka vdekur një person ndërsa tre të tjerë kanë mbëtur të lënduar.

“Në ketë rast kanë pësuar lëndime katër persona. Nga lëndimet e rënda në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë vozitësi i mjetit bujqësor (traktorit), ketë e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dy pasagjerët që ishin në mjetin bujqësor janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë, kurse vozitësi i automjetit (kombi) ka pësuar lëndime të lehta”, kanë thënë ata.

Sipas PK-së së Pejës, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa vozitësit të automjetit kombi i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë me urdhër të prokurorit.