Policia konfirmon se e ka arrestuar Agim Ademin

Policia e Kosovës ka konfirmuar se e ka arrestuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nën dyshimin për sulm fizik ndaj një zyrtari të federatës.

Ademi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht Adnan Govorin, drejtorin për marrëdhënie me jashtë në FFK, të mërkurën.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës tha të enjten herët se disa persona janë intervistuar për këtë rast dhe se Ademi është ndaluar.

“Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi: “Me datën 16.03.2022 rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.”