Presidenti ndan “Urdhrin e Lirisë” për katër familjet e heronjve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nderuar lart veprën e katër heronjve që do të rivarrosen sot në Velani, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Bahri Fazliut dhe Agron Rrahmanit në akademinë përkujtimore të organizuar për ata.

“Nga sot e përgjithmonë eshtrat e katër bijve të Kosovës që dhanë jetën për idealin jetësor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar do të jenë pranë njëri-tjetrit. Ata do të pushojnë pranë simbolit të Kosovës, babait të pavarësisë, Adem Demaçit”.

“Secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë Afrimi dhe Fahriu 30 vjet më parë, Bahriu dhe Agroni 21 vjet më parë. Këta heronj më së miri përfaqëosjnë dy deceniet e fundit të shekullit 20 të historisë së re të Kosovës”.

“Të rritur me frymë atdhedashëse, me edukatë të lartë atdhetare ata ishin pjesë e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë të gjithë energjinë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare. Ata treguan vendosmëri në rrugën e lirisë”.

Thaçi tha se ish-ushtarët e UÇK-së janë me fat që e patën rastin të njihni nga afër dhe kanë punuar me katër heronjtë.

“Krismat e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut ishin ndër të parat që lajmëruan ardhjen e UÇK-së. Asnjë tendencë nuk do të arrjë të njollosë luftën e UÇK-së”.

Presidenti ndau “Urdhrin e Lirisë” në nderim të familjeve Zhitia, Fazliu dhe Rrahmani.