Qeriqi: Gjykata Speciale provokon ish-luftëtarët që t’i fusë në konflikt mes vete

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka folur rreth shpeshtimit të ftesave së fundmi nga Gjykata Speciale për ish ushtarët e UÇK-së dhe se çka sipas tij po mundohet të arrijë kjo gjykatë me provokime ndaj të ftuarve.

“E kemi parë që muajve të fundit janë shpeshtuar ftesat nga Gjykata Speciale. Ne prej fillimit e kemi kundërshtuar këtë gjykatë, sepse Serbia ka pas për qëllim ta dëmtojë imazhin e Kosovës, e jo për t’i dënuar ushtarët e UÇK-së dhe fatkeqësisht Kuvendi dhe deputetët e kanë votuar”.

“Unë besoj në pafajësinë dhe luftën e pastër të secilit luftëtar. Të gjithë e dinë se kush ka bërë krime, pra është Serbia, me masakra e vrasje, djegie, plaçkitje, dëbime, etj., pra këtë e di Bashkësia Ndërkombëtare”.

“Kam pasur takim me disa prej të ftuarve, dhe ata kane treguar në raste të caktuara se edhe provokohen, po ata çdoherë e thonë të vërtetën për luftën e pastër të UÇK-së”.

“Me gjasë vet hetuesit nuk kanë bazë dhe informacione për të funksionuar më tepër dhe po mundohen të gjejnë diçka. Ndoshta ka tendencë që t’i fusin në konflikt mes vete për kolegët, meqë mundohen që t’i nxjerrin informacionet për kolegët e tyre me të cilët kanë vepruar në luftë, dhe këta ia kanë dhënë përgjigjen e vërtetë të luftës, pra që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër”.

“Na është bërë padrejtësi sepse kemi qenë të pafuqishëm si shtet dhe përfaqësuesit tanë nuk janë marrë me problemin dhe dëmet e Serbisë, e në anën tjetër ata kanë dashur që t’i paraprijnë situatës dhe të na sulmojnë neve, e jo ne ata për krimet që i kanë bërë”.

“Ftesat janë shkelje se hetuesit ndërkombëtarë po mundohen të nxjerrin informacione, sepse raporti i Dick Martyt nuk ka asgjë të vërtetë dhe përmes luftëtarëve mundohen me e ngrit ndonjë aktakuzë për ish-luftëtarët e UÇK-së”.

“Tani është shumë vonë të dilet në protestë se veçse ia ka nisur punën Gjykata Speciale. Mendoj që pak mund të arrihet me protestë, por unë jam i gatshëm t’i mbështesë”.

“Albin Kurti ka qenë prej fillimit kundër Gjykatës Speciale. Mbetet të shihet tani në ditët në vazhdim pas krijimit të qeverisë se sa do të merret me këtë çështje. Mendoj që është e vështirë të ç’bëhet kjo gjykatë. Deputetët tani e kanë kuptuar që kanë gabuar kur e kanë votuar dhe tani duhet të bëhet analizë se çka do të ndodhë. Me rëndësi është që Qeveria t’i mbështesë të akuzuarit sepse ata kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe e kanë për obligim si institucione që t’i mbështesin”, u shpreh Qeriqi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.