Qeveria e konsideron të panevojshëm Projektligjin për Pandeminë, të iniciuar nga Vjosa Osmani

Kabineti Qeveritar e ka cilësuar si të panevojshëm hartimin e ligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë, inicimin e së cilit e kanë nisur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, tha se menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e veçanta të Kushtetutës.

“Qeveria e Kosovës nuk mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit për rregullim të ri ligjor me të cilin bëhet kufizimi i disa prej lirive themelore të garantuara me Kushtetutën. E vlerëson të panevojshëm miratimin e projektligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë”, tha Selmanaj.