Qeveria të fokusohet në lobim te shtetet anëtare për liberalizim të vizave, kritikohet edhe BE-ja

Progresi në kuadër të dialogut është kyç sa i përket liberalizimit të vizave si dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, po vlerësojnë njohës të çështjeve politike në vend.

Edhe pse tashmë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian, sipas tyre Qeveria duhet ta ketë në fokus lobimin te shtetet anëtarë të BE-së, e te secila veç e veç.

Ata e kanë cilësuar si shumë të padrejtë situatën në të cilën gjendet Kosova sa i përket liberalizimit të vizave.

Drejtor i Institutit EPIK të Kosovës, Demush Shasha, në një intervistë për Ekonomia Online po e sheh proces kyç progresin e dialogut, duke përfshirë në të edhe liberalizimin e vizave.

Sipas ish-sekretari të ministrisë për Integrim Evropian, nuk mund të pritet ndonjë mrekulli në kohë afat shkurtër, pasi që siç thotë ai zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe ato presidenciale në Serbi nuk mund të sjellin progres në këto procese.

“Progresi në kuadër të dialogut është kyç, qoftë sa i përket liberalizimit të vizave, qoftë sa i përket çështjes së marrjes së vendit kandidat, qoftë sa i përket avancimit tonë në organizatat siç janë Kombet e Bashkuara apo NATO. Prandaj rëndësia e tij nuk mund të mbivlerësohet, në këtë kontekst duhet të jemi optimist pasi që po shohim një bashkërendim çdo ditë e në rritje ndërmjet SHBA-së dhe BE-së. Nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli, në afat shkurtër pasi që edhe ne kemi zgjedhjet lokale, ndërsa në Serbi ato presidenciale, prandaj derisa të përfundojnë këto ciklet zgjedhore nuk duhet pritur, ndonjë progres, prandaj më shumë mund të pritet ndonjë progres në pjesën e fundit të vitit tjetër, ose në vitin 2023, më përpara nuk duhet pasur ndonjë pritje reale”.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Avni Mazreku po fajëson shtetet anëtare të BE-së, për mosliberalizim të vizave për Kosovën.

“Çështja e liberalizimit të vizave është krejtësisht kontekst i funksionimit të Bashkimit Evropian, që në këtë rast e tregon fragjilitetin e tij në kontekst të vendimmarrjes. Kosova sa i përket kritereve teknokratike i ka plotësuar të gjitha këtë ka thënë Komisioni Evropian, e që është organi kompetent i BE-së me e vlerësua një shtet nëse i ka përmbushur ato kritere apo jo. Mosmarrja e vendimit politik nga ana e BE-së është kontekst plotësisht i fragjilitetit në kontekst të vendimmarrjes brenda BE-së, prandaj Kosova nuk mund të fajësohet në asnjë mënyrë për çështjen e liberalizimit të vizave, por në këtë rast të themi kushtimit komplet duhet me u fajësua shtetet anëtare të BE-së sepse ato janë aktorët që duhet me votuar pro ose kundër një vendimi të caktuar”.

Ai thotë se shtetet që kanë hezituar karshi liberalizimit të vizave për Kosovën, e kanë pasur për qëllim zhvillimin e tyre të brendshëm, dhe jo ushtrimin e presionit mbi procesin e dialogut.

“Shtetet që kanë qenë hezituese në raport me thënien po për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e kanë pasur më shumë për kontekst të zhvillimeve të brendshme të tyre, sesa që e kanë pasur kontekst të përdorimit të vendimit për vizat si instrument për me ushtrua presion mbi Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë”, ka thënë ai.

Edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadriaj po e konsideron padrejtësi ndaj Kosovës, mosliberalizimin, derisa ka pasur edhe kritika për Qeverinë e vendit për shkarkimin e ambasadorëve.

“Është padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës dhe nga kjo qeveri me të gjitha skandalet diplomatike që po i bën në arenën ndërkombëtare në çështjen e punëve të jashtme, shkarkimi i ambasadorëve e ku shumë vende evropiane kanë mbetur pa përfaqësimin, sepse ata janë që lobojnë për anëtarësim të organizatave ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave duke mbrojtur të drejtën e Kosovës në çështjen e liberalizimi të vizave”.

Ajo ka theksuar se Kosova është vendi më pro-evropian e pro-amerikan, derisa shton se nuk ka arsye të jetë i izoluar.

Kadrijaj po kërkon nga Qeveria e vendit, që të fokusohet në lobim të vendet anëtare të BE-së.

“Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret, dhe është dashtë të kemi liberalizim të vizave. Është një e drejtë e Kosovës me kërkua që të kemi liberalizim të vizave sepse, është pakuptimtë sepse Kosova është vendi më pro-evropian dhe pro-amerikan, pra Evropa nuk ka të drejtë që ta mbajë Kosovën të izoluar”.

“Fokusimi i qeverisë tash, duhet të fokusohen në lobim të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian veç e veç, sepse Komisioni i Parlamentit Evropian ka dhënë shumë herë dritë jeshile është votuar më shumë se dy herë dhe tash është te vendet lobimi veç e veç”.

Edhe vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE-së në Këshillin Evropian, duhet ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prej muajit janar udhëheqjen e Këshillit e ka marrë Portugalia.

Ndërkohë, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen.