Qorrolli thotë se Kushtetuesja mund të sqarojë, pa interpretim të ri, situatën e re pas rrëzimit të Qeverisë Kurti

Vigan Qorrolli, ligjërues në Fakultetin Juridik, ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund të sqarojë situatën e re të krijuar në Kosovë, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Sipas tij, sqarimi mund të bëhet pa pasur nevojë për interpretim të ri për aktgjykimin e 2014-s, sikur për rastin e VLAN-it, pasi presidenti Hashim Thaçi ka vendosur t’ia japë mandatin për formim të Qeverisë së re partive tjera, jo fituese të zgjedhjeve.

Në Interaktiv, Qorrolli ka thënë se qeveria në detyrë mund të kërkojë sqarim për të sjellë situatë “win-win”. Këtë, sipas tij, mund ta bëjë përmes dy apo tri pyetjeve.

Pyetja e parë sipas tij do të duhej të ishte se “a ka afat kohor brenda së cilit fituesi relativ duhet t’i përgjigjet presidentit, apo ai gëzon diskrecion dhe cila është shkalla e diskrecionit brenda së cilës presidenti mund t’i takojë partitë tjera politike dhe ato mund të sjellin 61 nënshkrime”.

“Në dijeninë time, Kushtetuta jonë, aq sa i njoh kushtetutat e demokracive të reja, në sistemet si i joni, në një zonë zgjedhore, nuk lejojnë që presidenti të bindet me 61 nënshkrime sepse s’është sistem presidencial. Gjykata do të mund të jepte disa sqarime që të mund ta përmbyllnin hendekun e interpretimeve”, ka thënë ai.

Qorrolli ka thënë se nëse ka aktgjykim të ri ai mund të jetë vali për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të ndodhin, por ka shtuar se “rregullat e demokracisë s’mund të ndërrohen”.