Qytetarët frikësohen të paguajnë këstet e kredisë në ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’

Sot në mëngjes disa qytetarë nga Ferizaj i kanë vizituar Bankat Komerciale aty ku më heret i kanë paguar këstet e kredisë, për të pyetur se a duhet tani të paguajnë këstin e kredisë te ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’ pasi ato janë mbyllur.

Gjatë mëngjesit të sotëm një qytetare nga qyteti i Ferizajt e ka vizituar degën e Bankës Kombëtare Tregëtare për të pyetur se a duhet paguar këstin e kredisë në “ Iute Credit” sipas afatit që ajo e ka të caktuar për pagesë.

“Kam ardh sot me pyt se a duhet nesër unë me pagu këstin e kredisë te banka që u mbyll, e kam këstin e tretë te “Iute Credit” dhe nuk po kam asnjë informatë, po frigohem me pagujt se mos po më hupin paret e ma vonë na detyrojnë me pagu prapë” thotë qytetarja e brengosur.

Të njejtin problem e ka pasur edhe një qytetar tjetër i cili ka aplikuar për kredi në Bankën Private për Biznes por që i njejti ka kredi në “Monego” dhe duhet ta mbyllë atë kredi që t’i lejohet kredia në BPB

Sipas qytetarit emër i njohur për redaksinë ka shkuar në mëngjes dhe ka pyetur në “Monego” se është i interesuar ta mbyll kredinë, edhe pse zyrtarët nga ky institucion i kanë thënë se mund ta bëjë një gjë të tillë ai ende është konfuz se a duhet apo jo ta mbyll kredinë pasi që ka dëgjuar nga mediat se këto institucione mikrofinanciare janë mbyllur nga Banka Qëndrore por nuk ka ndonjë informacion tjetër se çka mund të ndodh nëse pagesa e kreditit nuk shkon në vendin e duhur, shkruan Gazeta Metro.

“Unë të premten e ngova në lajme se qito dy banka po mshelen, sot kom pas me mshel kredinë në “Monego” sepse jam tu marr kredi në Bankën Private për Biznes po pa e mshel kta që e kom te “Monego” nuk po ma aprovojnë, kesh veta atje te “Monego” ata më than mundesh me mbyll po apet nuk guxova se spe di kush i merr tash ato pare, jom met tu vet po kërkush s’pe din” thotë qytetari.

Zyrtarët nga Bankat Komerciale nuk kanë asnjë informacion ose ndonjë ndonjë shkresë zyrtare, sipas tyre ata punojnë dhe ekzekutojnë pagesa sikurse në të kaluarën deri sa nuk kanë ndonjë infomratë zyrtare nga BQK.

Në faqen zyrtare të BQK-së nuk ka ndonjë shpjegim shtesë për qytetarët përveç njoftimit zyrtarë të publikuar ditën e premte me 06 dhjetor se bordi i këtij institucioni ka marrë vendim që të mbyll dy institucionet mikrofinanciare “Monego” dhe “Iute Credit”./gazetametro.net