Ramosaj flet pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrinit”, insiston që Deçani të ketë në menaxhim ujin e pijes

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se i mirëpret veprimet e ndërmarra nga Prokuroria e Pejës lidhur me rastin e helmimit të mbi 1,500 qytetarëve të kësaj komune na uji i pijes.

Ramosaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e kësaj komune.

Ndryshe, sot në një konferencë për media Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku bëri të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.

Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “Mos evitim të rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Juniku.

Postimi i plotë i Ramosajt:

Komuna e Deçanit mirëpret veprimet e ndërmarra nga prokuroria themelore në Pejë, e cila sot, në konferncën për media, informoj që ka përfunduar hetimet, që kanë të bëjnë me rastin e helmimit të 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit nga uji i pijes gjatë muajit korrik 2021.

Duke shpresuar që ky rast të merr trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi.

Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit!