26 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve, VV e LDK s`po mund të merren vesh, Veliu thotë se LDK-ja është parti nacionaliste

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gjatë ditës së sotme do të kremtoj 30-vjetorin e themelimit të partisë, shkruan GazetaBlic.

E me këtë rast, nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, ka thënë se 30-vjet pas, LDK-ja fuqishëm është e angazhuar dhe punon në shtetndërtimin e vendit, drejt një shteti evropian ku sundon ligji dhe mbretëron dija.

Veliu shton se LDK është më shumë se sa parti, por është institucion nacional që kultivon vlera dhe ruan miqësi me aleatët dhe miqtë më të afërt të Kosovës.

Ai shton më tej se LDK vazhdon të jetë partia me lidershipin më të mirë, që ka dijen dhe guximin politik dhe anëtarësinë me besnike.

Shkrimi i tij i plotë:

Tridhjetë vjet nga lindja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes politike nacionale, e cila fuqishëm artikuloi kërkesat politike të shqiptarëve dhe u bë nismëtare e proceseve të pluralizmit në këtë pjesë të Evropës.

Me profilin saj kombëtar, demokratik e shtetformues, LDK përmbysi rendin komunist dhe u bë forcë motorike e lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Tash, në 30-vjetorin e lindjes së Lidhjes sonë, që me themeluesin dhe prijësin e saj historik Dr. Ibrahim Rugova, vendosi themelet e shtetit të pavarur e sovran, LDK fuqishëm është e angazhuar dhe punon në shtetndërtimin e Kosovës, një shteti normal evropian ku sundon ligji e mbretëron dija.

Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë sesa një parti, është një institucion nacional që kultivon e afirmon vlera dhe ruan miqësinë me aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara e NATO-në dhe punon fuqishëm për integrim në BE.

Në ditëlindjen e saj të 30-të LDK vazhdon të jetë partia me lidershipin më të mirë, që ka dijen e guximin politik dhe anëtarësinë më besnike.

Qoftë e bekuar Lidhja jonë!