Rashkaj e Aliti optimistë para ndeshjes me Moldavinë

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” para udhëtimit në Itali, ku më 3 shtator do të ballafaqohet me Moldavinë, në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Ndeshja është e vlefshme për Grupin 3 të Ligës C.

Mesfushori Anel Rashkaj është shprehur optimist para ndeshjes me Moldavinë.

“Është një kohë e gjatë që nuk jemi mbledhë shkaku i pandemisë, është kënaqësi që jemi takuar sërish. Është një situatë e vështirë jo vetëm për ne por gjitha kombëtaret në futboll. Por, pavarësisht situatës duhet të japim maksimumin. Së pari me Moldavinë dhe pastaj me Greqinë të hapim më të mirën nga vetja dhe natyrisht rezultatet. Ndeshjet pa tifozë ndikojnë në atmosferën e lojës por jemi profesionistë dhe duhet të luajmë dhe të kemi paraqitje të kënaqshme”, ka thënë Rashkaj.

Po ashtu optimist është shprehur edhe mbrojtësi Fidan Aliti.

“Jemi të gëzuar që jemi grumbulluar sërish. Kemi një grup të mirë dhe atmosfera pozitive. I kemi dy ndeshje, por fillimisht fokusi të Moldavia dhe pastaj me Greqinë. Ne shkojmë për fitore dhe besoj që do të marrim më të mirën. Normalisht, do të na mungojnë tifozët por kjo është situata besoj se në Itali do të kishim përkrahje të madhe. Por, ne duhet të fokusohemi të ndeshje me apo pa tifozë dhe të japim maksimumin”, ka thënë ai.

Nesër në mëngjes ekspedita do të udhëtojë në Parmë, ku do të zhvillojë edhe një stërvitje para ndeshjes së enjtes.