Rumania e ‘përkëdhelur’, 500 mijë euro gjoba në katër vitet e fundit – UEFA vazhdon ta dënojë vetëm me para

136

Federata Rumune e Futbollit (FRF) është recidiviste e gjobave nga UEFA, por ato vazhdojnë të jenë të ulëta edhe pse të shpeshta dhe të vazhdueshme shkaku i sjelljeve të tifozëve rumun.

Përfaqësuesja e Rumune është në mes të një sezoni kualifikues për EURO 2024 dhe ka shanse të mira për të qenë e pranishme në turneun që mbahet në Gjermani, por Federata Rumune e Futbollit (FRF) prej shumë vitesh po përballet me një problem të madh.

Tifozët ultras kanë krijuar turbulenca pothuajse në çdo ndeshje në 4 vitet e fundit dhe gjobat nga UEFA kanë filluar të shtohen.

Mediumi rumun FANATIK ka analizuar dosjet të cilat FRF ka pranuar nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s për shkak të ultrasve dhe shuma e pagesës është e madhe.

FRF u gjobit nga UEFA për incidentet në ndeshjen me Kosovën
Rumania është sanksionuar nga UEFA me 52 mijë euro gjobë pas incidenteve në ndeshjen me Kosovën. Përveç kësaj, në ndeshjen kundër Andorrës, vetëm shikuesit nën moshën 14 vjeç do të kenë qasje në tribuna.

Ndeshja Rumani – Kosovë, e cila u mbyll me rezultat 2-0 është ndërprerë për gati 50 minuta, pasi ultrasit e grupit “uniti sub tricolori” kanë shfaqur mesazhin “Kosova është Serbi” dhe “Bessarabia është Rumani”. Përveç kësaj, në tribunën e tifozëve ultras janë ndezur fishekzjarrë dhe është brohoritur edhe mesazhi i cili ishte në pankartë.

Gjobat e marra nga FRF për shkak të ultrasve në 4 vitet e fundit

Nga vjeshta e vitit 2019 e deri më tani, FRF ka paguar gjoba prej 473,750 eurosh për shkak të tifozëve ultras. Praktikisht, pothuajse çdo ndeshje e kombëtares rumune përfundonte në analizë nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s.

Shuma mund të ishte shumë më e lartë, por Rumania luajti disa ndeshje me dyer të mbyllura gjatë periudhës 2020-2021, gjatë pandemisë COVID-19.

210,500 euro – gjobat e marra nga FRF në vitin 2023

139,750 euro – gjobat e marra nga FRF në vitin 2022

123,500 euro – gjoba të marra nga FRF në vitit 2019

Ndeshjet dhe gjobat për Rumaninë në kualifikueset e EURO 2024
Rumania deri në ndeshjet me Izraelin dhe Kosovën kishte luajtur edhe katër ndeshje të tjera në kualifikueset e EURO 2024 dhe të gjitha sollën gjoba nga UEFA.

Gjoba më e madhe erdhi te fitorja në Andorra, kur FRF u detyrua të paguante 50,250 euro për shkak të tifozëve ultras. Gjatë ndeshjes në “Estadi Nacional”, disa tifozë të “uniti sub tricolor” janë përleshur dhe është dashur të ndërhyjë policia.

Në ndeshjen me Bjellorusinë, e para në shtëpi në vitin 2023, ultrasit përdorën thirrje ksenofobike dhe ndezën fishekzjarrë. Këtë herë, fatura nga UEFA ishte më e vogël dhe FRF pagoi një gjobë prej 17,500 eurosh.

Ndeshjet në udhëtim ndaj Kosovës dhe Zvicrës, sollën një vrimë të re në buxhetin e Federatës Rumune të Futbollit. Ultrasit ndezën fishekzjarrë në të dyja ndeshjet, ndërsa në Prishtinë u dëbuan nga tribuna. Gjoba për duelin me Kosovën ishte 25,750 euro, të cilës iu shtua edhe ajo e ndeshjes me Zvicrën, prej 34,000 eurosh.

Gjoba edhe në Kampionatin Evropian U21 të organizuar nga Rumania dhe Gjeorgjia

Ultrasit performuan edhe në ndeshjet e luajtura nga Rumania U21 në Kampionatin Evropian të të rinjve. Në verë, të tre ndeshjet e luajtura nga ekipi U21 arritën të përfundojnë në Komisionin Disiplinor të UEFA-s.

Madje, në mbledhjen e datës 25 korrik 2023 janë analizuar 11 ndeshje me probleme, katër prej tyre të kombëtareve të Rumanisë. /Telegrafi/