Selimi thotë se Kurti është i gatshëm të bashkëpunojë me Thaçin

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ashtu siç edhe ka thënë është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionin e presidentit.

“Mënyra e komunikimit në mes të kryeministrit dhe presidentit nuk është e njëjtë. Po ashtu edhe gjuha nuk është e njëjtë dhe mbi të gjitha qasja nuk është e njëjtë. Kryeministri Kurti duke e respektuar rolin e vetë dhe mandatin e tij kushtetues ka qenë i gatshëm dhe vazhdon të jetë i gatshëm që të bashkëpunojë me institucionin e presidentit siç edhe e ka thënë për t’i bashkëvepruar dhe koordinuar veprimet, sidomos ato në politikën e jashtme”, ka thënë Selimi në emisionin Rubikon.

Më tej, ai ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi dje karshi adresimit të kryeministrit Kurti për negociatat sekrete u tregua jo i qetë.

“Në anën tjetër nuk ka qenë përgjigje, e as qasje e duhur e presidentit karshi kësaj kërkese krejt institucionale. Prandaj edhe dje nuk kanë qenë të barabarta adresimet publike që janë bërë. Kryeministri Kurti dje ngriti shqetësimet se heqja e taksës po kërkohet më shumë jo për t’i hapur rrugë dialogut, por për t’i hapur rrugë një marrëveshje, e cila së paku ka negociata sekrete. Në vend që ta demantojë këtë duket se presidenti Thaçi, u tregua jo i qetë”, tha ai.