Sërish përplasje mes Dakës dhe përfaqësuesit të VV-së në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e mbajtur mbledhjen e radhës.

Gjatë kësaj mbledhje një përplasje ka ndodhur mes përfaqësuesit të VV-së, Alim Rama dhe kryetares së KQZ-së, Valdete Daka lidhur me procesin zgjedhor.

Rama tha se dikush nga KQZ-ja është marr vesh me PZAP që ora 18:00 të jetë koha kur merren vendime, lidhur me procesin zgjedhor.

“Sa i përket në raportin që kemi kërkuar, keni thënë se publikimi i listës së votuesve është në orën 19:40 edhe kjo duhet me u evidentuar. Unë nuk po e shoh se ku e ka marr evidencën PZAP-ja për këtë vendim. Takimi u kry rreth asaj kohe dhe vendimi u nënshkrua pas mbledhjes se nuk ka mundur njoftimi me u nënshkrua derisa nuk u kry mbledhja. Unë nuk e di kush ka komunikuar brenda institucionit me PZAP-në që të marrë kohën e saktë në çfarëdo mënyrë të tyre e kanë marrë një kohë si ora 18:00, sidomos një institucion që duhet të apelojë çdo ankesë e merr një vendim që e apelon deri në mesditë”, ka thënë Rama.

E menjëhershme ishte përgjigja e Dakës, e cila i tha se nuk mund të flas në KQZ, për një institucion tjetër, i cili nuk është prezent.

“Nëse bën ankesë për PZAP-in i drejtohesh PZAP-it. Nuk e dimë se kush ka komunikuar. Përderisa t’i i drejtohesh me pyetje një institucioni që nuk është prezent unë duhet me të ndërpre. Nëse ki pyetje për PZAP-in i drejtohesh PZAP-së”, tha Daka.

Ndërsa Rama insistoi se kjo është një pyetje publike që mund ta bëjë edhe në mbledhjen e KQZ-së.