Gjykata Speciale refuzon lirimin me kusht të Sali Mustafës

Gjykatësi i procedurës paraprake në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin me kusht të ish-eprorit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Kësisoj Mustafa vazhdon të mbetet në paraburgim.

Ky vendim u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara ku ndër arsyet e refuzimit përmendet se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do të lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”.

Gjykatësi Nicolas Guillou urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Sali Mustafën deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Sali Mustafa është arrestuar më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi atij i ishte konfirmuar aktakuza nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat si: ndalim arbitrar, trajtim mizor të njerëzve , torturë dhe vrasje të paligjshme.

Mustafa ishte i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale, që nga themelimi i saj në vitin 2015.

Pas Mustafës u arrestuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndërsa pas leximit të aktakuzave të gjithë u deklaruan të pafajshëm, në seanca të ndryshme gjyqësore.