Server: Kurti e di se çfarë do, por të mos shkaktojë probleme që nuk mund t’i zgjidhë vetë

Përfaqësuesit e partive më të mëdha opozitare në Kosovë, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, e kanë akuzuar atë për “mungesë komunikimi me SHBA-në”, dhe sipas analistit amerikan Daniel Server, Kurti ka idetë e veta se çfarë dëshiron të bëjë. ”

Kryeministri Kurti dje ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e tri partive më të mëdha opozitare – Ramush Haradinaj ka lënë takimin, liderët e LDK-së dhe PDK-së e kanë akuzuar kryeministrin për mungesë komunikimi me aleatët, veçanërisht me SHBA-në.

Sipas jush, si është komunikimi aktual mes SHBA-së dhe Kosovës?

Nuk jam i sigurt se ka mungesë komunikimi. Kryeministri Kurti ka idetë e veta se çfarë dëshiron të bëjë.

Si e shikoni largimin e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës?

Unë nuk jam adhurues i atyre që mendojnë se mund të arrijnë rrugën e tyre duke bojkotuar institucionet legjitime.

A është vonë që Kurti ta pranojë kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e afatit për targa me 10 muaj?

Unë me të vërtetë nuk e di. Pse do të ishte tepër vonë?

A mendoni se janë të mundshme incidente në veri të Kosovës në periudhën e ardhshme?

Parashikoj se do të ketë ngatërresa në veri. Nëse Prishtina dëshiron të zbatojë kërkesat për targa, duhet të mendojë me kujdes se si ta bëjë atë në mënyrë efikase dhe pa shkaktuar probleme serioze që nuk mund t’i zgjidhë vetë.