SHBA tërhiqet nga Bordi i Agjencisë së Pronës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, njoftoi se është tërhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, pasi shfaqën hapur kundërshtimin e tyre që Naser Shala të udhëheqë me këtë agjenci.

Që kur Shala u votua nga Kuvendi i Kosovës si drejtor i kësaj agjencie, Ambasada e SHBA-së dhe ajo britanike u deklaruan publikisht kundër duke thënë se si nuk ishte person i kualifikuar dhe i përshtatshëm për këtë pozitë.

Madje, ambasadori britanik u dorëhoq nga pozicioni i tij si kryetar i bordit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këtë veprim duket se e ka ndjekur edhe SHBA që njoftoi dorëheqjen nga bordi.

“SHBA-ja ka dhënë dorëheqjen nga Bordi i AKKVP-së, siç bëri Mbretëria e Bashkuar më herët. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë e një institucioni ku lidershipi i tij u shërben më shumë interesave personale dhe politike se sa qytetarëve. Përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozicionet qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.