Shifër shokuese! Shkon në 5476 numri i viktimave në Itali

Të dhënat e fundit nga Italia tregojnë se rritet frikshëm numri i viktimave. Mediat italiane kanë raportuar se vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 651 viktima. Ky është bilanci më i rëndë i shënuar deri më sot pasi numri i viktimave ka arritur në 5476. Përsa i përket numrit të të prekurve, tashmë ka arritur në mbi 59 mijë, pasi vetëm sot janë konfirmuar 5560 persona të prekur nga ky virus.

Emergjenca nga përhapja e shpejtë e koronavirusit ka vendosur në vështirësi shëndetësinë në Itali. Pandemia ka goditur kryesisht veriun, me rajonin e Lombardisë që rezulton më i prekuri.

Edhe Ekipet kineze të ardhura në ndihmë të popullit italian kanë thënë se Italia duhet të marrë masa më të rrepta për të luftuar koronavirusin se ndryshe nuk e përballojnë dot. Në një konferencë për shtyp me presidentin e Lombardisë Attilio Fontana, ata theksuan se shumë gjëra nuk po funksiononin siç duhej në luftën ndaj COVID-19.

“Ju me sa duket akoma nuk e keni kuptuar me çfare keni të bëni. Ne shohim që në Milano ka akoma qytetarë që lëvizin rrugëve, ështe e pakuptueshme se përse ka akoma metro që punojne. Nuk shikoj njerëz të mbajnë maska”, theksoi mjeku i ekipit kinez.

Autoritetet italiane i bëjnë apel të gjithë mjekëve dhe infermierëve që kanë dalë në pension gjatë dy viteve të fundit, si dhe atyre të punësuar në struktura private që të vendosen në dispozicion në këto ditë të vështira.