Mediat e Beogradit: Ushtarë të Shqipërisë në Mitrovicën veriore, serbët të shqetësuar

Dyzet ushtarë të KFOR-it, ndër të cilët edhe pjesëtarë të Ushtrisë shqiptare, kanë shëtitur sot nëpër rrugën kryesore të Mitrovicës veriore, kanë njoftuar për mediat e Beogradit burime serbe nga veriu.

Paraqitja e ushtarëve shqiptarë sipas mediave të Beogradit ka shkaktuar shumë shqetësim në veri të Kosovës. Ushtarët rreth orës 11:00 kanë qëndruar në urën kryesore, pastaj kanë dalë në shëtitoren e Mitrovicës. Ushtarët shqiptarë, bashkë me ushtarë të KFOR-it në veri kanë qëndruar më shumë se një orë.

“Në mesin e ushtarëve të KFOR-it ka pasur më shumë pjesëtarë të Ushtrisë shqiptare me uniforma. Kanë pasur shenjat e oficerit. Deri më tash diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Në rrugën që është shëtitorja kryesore e Mitrovicës janë 15 kafene. Prania e ushtarëve shqiptarë ka shkaktuar shqetësim”, shkruajnë mediat serbe.

Sipas këtyre mediave, në përbërjen e KFOR-it në Mitrovicë është planifikuar që të jenë 300 ushtarë të Shqipërisë. “Kjo shëtitje e ushtarëve nga Shqipëria është matje e pulsit për reagim të mundshëm në veri”, sipas këtyre mediave.