Sindikata e Pavarur e të Punësuarëve në Mitrovicë dhe Vushtrri paralajmërojnë bllokim institucionesh

Sindikata e Pavarur e të Punësuarëve në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Vushtrrisë i ka reaguar Qeverisë së Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në nivel vendi nga pasojat e rritjës së çmimeve dhe mbulimit të shportës familjare esenciale.

Nga Sindikata thonë se janë të revoltuar nga Qeveria për mos përfshirjën në asnjë pako të ndihmës ekonomike, në mos rritje të pagave që shumë vite të stafit civil në nivele të Komunave të Kosovës, si kategoria më e rrezikuar me situatën e krijuar, ku siç thonë ata çdo ditë janë të atakuar për mos sigurimin e ekzistencës familjare.

“Niveli i pagave në nivel komunave është në nivel të pensioneve, asistencës sociale dhe barazvlefshme me nivelin e pagës minimale në Kosovë.”

Shërbyesit civil në nivel komunal nuk janë të kënaqur as me statusin e tyre në ish-ligjin për pagat ku thonë se janë klasifikuar si kategoria më e ulët në raport me çdo kategori tjetër, edhe pse përgjegjësitë janë mjaftë të mëdha në nivel komunal, pasi që komuna merret me 90% e problemeve të qytetarëve, duke filluar nga infrastruktura, shërbimet e ujit, kanalizimit, arsimit fillor dhe të mesëm, shëndetësinë primare, urbanizimit, planifikimit, katastrit, mjedisit, kulturës, sportit, mbeturinave, ndriqimit publik, transportit, etj.

Për këtë arsye Sindikata i bënë thirrje Qeverisë që me problemin e shërbyesve civil në nivel të komunave të mirret me kujdes të veçantë, në të kundërtën do të jenë të shtyrë të shfrytëzojmë të gjitha mjetet e organizimit sindikal siç janë grevat, protestat deri të bllokimi i plotë i institucioneve në nivele komunale.

Kërkesa e tyre është si në vijim:

Miratimi i ligjit të pagave, duke rregulluar statusin meritor dhe të premtuar (duke u barazuar me kategoritë tjera siç janë Arsimi, Shëndetësia, Policia etj).

Përmirësimi i kushteve elementare në punë, mbrojtja institucionale (mos atakimi politik, sigurinë fizike gjatë punës etj), sigurimi shëndetësor.

Ofrimi i shujtës ditore sikurse kategorive tjera.