S’ka vaksina kundër gripit sezonal nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare

Në mungesë të vaksinave kundër gripit, shumë qytetarë janë kthyer mbrapa nga mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet.

Për të tretën herë me radhë janë kthyer edhe shumë të moshuar të tjerë, të cilët shtojnë se askush nuk i informon se kur do të vijnë këto vaksina, raporton KTV.

Përgjegjësit e këtij institucioni thonë se nuk e dinë se kur do të vijnë vaksinat pasi që asgjë nuk varet nga ta.

Doktori Nexhmedin Hoti thotë se nga Ministria e Shëndetësisë, u kanë thënë se furnizimi me vaksina kundër gripit, do të bëhet më së largu në fillim të muajit dhjetor megjithatë shton se janë duke pritur.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto vaksina pritet që të arrijnë në Kosovë më 6 dhjetor, ndërsa do të shpërndahen javën e ardhshme.

“Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSH-ja, do të jenë katër-shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresive në qarkullim të gripit sezonal”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë i ka porositur 100.000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat do të sigurohen nëpërmjet shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës nga gripi, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

Vaksinat e blera nga MSH-ja, do të shpërndahen përmes IKSHP-së dhe njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës.