Stërvitjet e Serbisë në kufi me Kosovën: Kurti sulmon sërish Thaçin, ankohet se qeveria e tij ka probleme të trashëguara

Kryeministri Albin Kurti në 11-vjetorin e Marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë bëri me dije që Serbia edhe sot e kësaj dite shkel këtë marrëveshje. Në këtë ditë ai i riktheu në vëmendje edhe dakordime të tjera mes Kosovës e Serbisë për të cilat u zotuan paraardhësit e tij.

Një ndër to, Kurti përmendi edhe zotimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi që FSK-së të mos kalojë kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Duke e përmendur këtë, Kurti bën me dije se ushtria serbe po qëndron në kufi me Kosovës për stërvitje.

“E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Malit të Zi) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë”, ka shkruar Kurti.

Ai ankohet se Qeveria e tij sot “ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin” e Kosovës sesa sfida të kohës.

E përkundër të gjitha atyre, Kurti thotë se “po ia dalim me sukses”.

Si trashëgimi nga qeveritë e kaluara, kryeministri Kurti s’kishte si të mos përmendte Asociacionin. Për këtë ai paraqiti edhe disa kushte në bazë të të cilave mund të diskutojë për të.

“Pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023); pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike); pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”, tha sot Kurti.

Ai akuzoi Serbinë se asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mospengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.

Lini një Përgjigje