Studenti i diplomuar proteston para qeverisë: Ëndrrat na i keni vjedhë, shpresat na i keni vra!

Edhe njëzet vjet pas luftës, qytetarët e vendit tonë vazhdojnë ende të mbesin të izoluar.

Janë të rinjtë ata që e vuajnë më së shumti mos liberalizimin të vizave, proces ky për të cilin çdo ditë ka premtime nga politikanët.

Si shenjë revolte, një i ri kosovar, student i diplomuar sot ka dalë para objektit të Qeverisë së Kosovës për të shprehur indinjatën e tij, përcjellë Indeksonline.

Ai në mënyrë artistike, pa thënë asnjë fjalë të vetme ka qëndruar me një valixhe përpara të lidhur me një konop në qafë që tregon “ngulfatjen”, një pasaportë, diplomën dhe një pëllumb të bardhë që mbante në duar, që tregon izolimin.

Studenti që mori guximin, e kishte të mbyllur gojën me ngjitës, teksa në dorë mbante një pankartë ku shkruhej: Ëndrrat na i keni vjedhë, shpresat na i keni vra!