Supremja konfirmon dënimin e Gjokiqit për krime lufte në Kosovë

Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin prej 12 vjetëve për krime luftë në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë nga ekipi mbrojtës i Zoran Gjokiqit dhe ia ka vërtetuar dënimin prej 12 vjetëve për krime lufte në Kosovë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Z.Gj., për shkak të veprës penale krime të luftës kundër popullatës civile, në seancën e mbajtur me 15 shkurt 2022, refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të dënuarit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Z.GJ., duke vërtetuar se gjykatat e instancës më të ulët, drejt kanë zbatuar ligjin penal dhe se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale, për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet në njoftimin e Supremes të mërkurën.

Gjokiqi është dënuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.

I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.