Thaçi: Askush s’ka të drejtë të pretendojë në uzurpimin e institucioneve shtetërore

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Duke folur për vendimin e mundshëm të Kushtetueses dhe paralajmërimet e VV-së se nuk do ta respejktojnë nëse i njëjti nuk është në favor të tyre, Thaçi ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i mbajë të uzurpuara institucionet.

“Të gjithë duhet ta respektojnë procesin elektoral të 6 tetorit. Të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Askush nuk ka të drejtë të pretendojë të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit, në veçanti pas vendimit të Kuvendit të Kosovës. Askush nuk e di se cili do të jetë vendimi i Kushtetueses dhe askush nuk duhet të paragjykojë se do të jetë ky apo ai vendim”, ka thënë presidenti.

Presidenti tutje ka thënë se askush nga akterët në Kosovë nuk mund ta destabilizojë shtetin dhe institucionet demokratike.

“Askush nuk mund ta destabilizojë shtetin dhe institucionet demokratike. Është në vullnetin e adresave politike për hapat që do të ndërmarrin. Unë kam zhvilluar takim edhe me të gjitha liderët e partive politike për të gjitha hapat që duhet të ndërmarrim. Ne kemi pasur një mocion të suksesshëm të mosbesimit, ndërkaq në takimet me liderët politik, ata janë deklaruar se janë kundër shpërbërjes së Kuvendit, dhe gjetjes së një formule të re qeverisëse”, ka thënë presidenti.