U21/ Shqipëria fiton me përmbysje spektakolare ndaj Rumanisë

Kombëtarja e Shqipërisë U21 ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2025”.

Të përzgjedhurit e Alban Bushit sonte shënuan fitore me përmbysje ndaj Rumanisë U21, shkruan Gazeta Express.

Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” përfundoi me rezultatin 3:2.

Constantin Grameni (47’) dhe Louis Munteanu (58’) shënuan fillimisht për epërsinë prej dy golave të rumunëve.

Por, në vazhdim gjithçka foli në të mirë të “Kuqezinjve”.

Cristian Shpendi (63’), Medon Berisha (71’) dhe Adrion Pajaziti (88’) shënuan për t’ia siguruar fitoren e dytë Kombëtares Shqiptare, nga po aq ndeshje të zhvilluara në këtë fushatë kualifikuese.

Shqipëria U21 prin në Grupin E me gjashtë pikë.