Ukraina shkatërron tre ura për të penguar futjen e ushtrisë ruse në Kiev

Objektivi i ushtrisë ruse mbetet Kievi. Sipas DASH, Rusia kërkon rrëzimin e presidentit të vendit Volodymir Zelensky. Në orët e para të mëngjesit, Rusia rinisi sulmet me tanke e raketa.

Avionët rusë kanë filluar manovrat në qiejtë e kryeqytetit ukrainas dhe kanë goditur ndërtesa ushtarake, por edhe civile.

Tre ura të rëndësishme, të cilat japin akses për hyrjen në Kiev, janë shkatërruar qëllimisht. Arsyeja, është ajo e një ndalimi të ardhjes së këmbësorisë ruse, pasi raportime bëjnë me dije se janë vetëm 20 kilometra larg Kievit.

Disa rrugë kalimi po mbahen të hapura, në mënyrë që qytetarët të cilët duan të largohen apo hyjnë në Kiev, të arrijnë ta bëjnë këtë gjë. Informacionet nga fronti gjithsesi mbeten ende të paqarta edhe pse mediat ndërkombëtare raportojnë për situatën.