Vdes një 19-vjeçar nga aksidenti i rëndë në Shajkoc të Podujevës

Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sonte rreth orës 17:30 në hyrje të fshatit Shajkoc të Podujevës.

Njëri nga këta persona të lënduar nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, me ç’rast ka ndërruar jetë në Qendrën Klinikë Universitare. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve që kanë pësuar  në aksidentin që ka ndodhë në Shajkovc të Podujevës ka arrit në 8 persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballoj plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës A.B (mashkull) 2001e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri vetura dhe një traktor.