Vrasja e 41-vjeçarit në Fushë Kosovë, bien në pranga të Policisë dy persona të dyshuar

Një rast i rëndë ndodhi mbrëmë në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë, ku një person u ther me thikë për vdekje. Gazeta Sinjali raportoi se i ndjeri Arsim Hamiti, 41-vjeçar nuk arriti të mbijetojë dhe fatkeqësisht u dërgua në Emergjencë pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e tij, teksa hetimet kanë nisur.

Policia e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me këtë rast. Dy 26-vjeçarë janë kapur nga Policia, me ç’rast është sekuestruar edhe thika që dyshohet se u përdor.

“Sot (13.02.2023) rreth orës 01.:30, nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale vrasje, që ka ndodhë me datën 12.02.2023, në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë.

A.M, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe L.B, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës si dhe sekuestuarimin e një arme të ftohtë (thikë),që dyshohet të jenë përdorë në rast. Pas intervistimit, personat e arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, njofton Policia.

Rasti ka ndodhur rreth orës 21:40, kur viktima u sulmua me thikë dhe pësoi lëndime të rënda trupore. Ai u gjet i shtrirë në tokë nga Policia dhe më pas u dërgua menjëherë në Emergjencë. Në spital vetëm u konstatua vdekja e tij, kurse trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.

Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe familja Hamiti, ndërsa akoma nuk janë bërë të ditura detajet e ceremonisë së varrimit.