VV shkarkon Haki Abazin nga Komisioni, zëvendësohet nga Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar sot kërkesën e subjektit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të zëvendësuar anëtarët në Komisione Parlamentare.

Si rezultat, Haki Abazi, i cili ishte më i zëshmi kohëve të fundit, lidhur me këtë çështje, është shkarkuar nga të qenit Kryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, për t’u zëvendësuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni.

Nga 62 vota, 53 ishin për, as një kundër dhe nëntë abstenime.

Deputeti i VV-së, Ardian Gola ka abstenuar gjatë votimit për zëvendësimin e bashkëpartiakut të tij, Haki Abazi nga komisionit.

Nga 9 abstenime ai ishte i vetmi nga VV-ja që nuk votoi sikurse grupi i tij.

Abazi në deklarime publike e ka lavdëruar Golën duke thënë se e vlerëson si profesionist e person me integritet.