VV voton kundër rritjes së koeficientit/ Gashi: Po e bën për të ikur të rinjtë, që t’i punësoj aktivistët e partisë

Rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për rritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro, nuk ka arritur të kalojë në Kuvend.

Nga 84 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë, 52 kanë votuar kundër, 28 kanë votuar për ndërkaq kanë abstenuar katër deputetë.

Pro rritjes së koeficientit kanë votuar deputetët e opozitës, ndërsa ata të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar këtë rezolutë.

Këtë nuk e mirëpresin nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së në një prononcim për Front Online ka thënë që mosngritja e koeficientit ndikon në kurrizin e punëtorëve.

“Kjo fatkeqësisht është në kurrizin e shërbyesve civil, dhe zyrtarëve publik në tërësi, dhe kjo sinqerisht është për të ardhur keq dhe unë nuk mund ta kuptoj këtë logjikë, duke e marr parasysh që janë në gjendje të rënduar ekonomike”, deklaroi ai.

Sipas Gashit, mosngritja e koeficientit të pagave nxit të rinjtë të ikin nga Kosova.

E që sipas tij, VV-ja po e bën qëllimisht, për t’i rekrutuar aktivistët e partisë në ato vende të punës.

“Ikjet e të rinjve nga Kosova si rezultat i gjendjes së rënduar ekonomike, dhe mosperspektives të punësimet të shërbimet publike siç duket kësaj qeverie, dhe kësaj legjislature parlamentare po i konvenon, prandaj jemi të zhgënjyer dhe definitivisht ashtu siç kemi thënë që kjo qeveri ka për qëllim me dëmtu sinqerisht zyrtarët publik me qëllim që sa më shumë ta lëshojnë vendin e punës që t’i jepet mundësia që të rekrutojnë dhe të punësojnë aktivistë partiak”, u shpreh ai për Front Online.

Gashi thotë që në javën e ardhshme do të takohen sindikatat për të diskutuar për hapat e ardhshëm.

“Në javën e ardhshme ne do të takohemi me federata dhe do t’i diskutojmë dhe do të dalim me qëndrime, thjesht çka është mjaft është mjaft dhe sinqerisht kjo qeveri është duke e tepruar me sjelljet jokorrekte dhe të papërgjegjshme”, u shpreh ajo.

Deputetët e Kuvendit s’e votuan as propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.