Xhafer Gashi “prishet” me LB-në e me OVL-në e Obiliqit e tash ia ndërron emrin sheshit

Komunarët e Obiliqit ia kanë ndërruar emrin sheshit të qytetit “Adem Preniqi”, që ia kishte vendosur më 30 tetor të vitit të kaluar. Ky shesh që bartte emrin e ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal, Adem Preniqi, kishte hasur në kundërshtim nga shoqatat e dala nga lufta, por edhe të Lëvizjes Vetëvendosje dhe asaj për Bashkim, madje ky kundërshtim ka rezultuar edhe me prishje të koalicionit qeverisës në mes të LB dhe AAK.

Pas pesë muajve, emërtimi i sheshit është ndërruar dhe tash në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal i është vendosur “Dëshmorët e Kombit”. Ky kishte qenë propozim i LB-së dhe i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, por që nuk ishte hedhur fare në votim, në tetor të vitit të kaluar.

Gazeta “Koha Ditore” ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Obiliqit pse për kaq pak muaj është ndërruar emri, kush ka bërë kërkesë dhe nëse vlejnë arsyet për ish-kryesuesin Preniqi, që i kishin dhënë kur ia kishin vendosur këtë emër, që ishte propozuar nga vetë kryetari i Komunës, Xhafer Gashi. Por, përgjigjet kanë munguar. Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së veteranëve të UÇK-së në Obiliq, Fehmi Mjeku, që kishte qenë kundër emërtimit të sheshit me emrin “Adem Preniqi”, ka thënë se presionet kanë bërë që të ndryshojë emri i sheshit. Ai ka thënë se nuk janë informuar nga zyrtarët komunalë për këtë ndryshim.