Yrysh e n’politikë

Shkruan: Gëzim Saraçi

Në Kosovë, pothuaj, çdo gjë jonormale duket normale, dhe anasjelltas çdo ngjarje apo ndodhi normale na bënë të çuditemi. Fushata parazgjedhore ka filluar, ndonëse jozyrtarisht. Bile, do të ishte e çuditshme, së paku për mua, dhe do të më dukej jonormale sikur fushata të mos fillonte deri në afatin zyrtar. Tani jemi në afatin kalimtar të aderimeve politike. Këto aderime po i shndërrojnë të aderuarit, nga njerëz të pa vlerë (siç cilësohen nga partia e cila largohen), në njerëz me shumë vlerë (për partinë në të cilën ata aderojnë, së paku për atë ditë që aderojnë).

Bisedat për politikën janë të pashmangshme në çdo ndejë a takim mes njerëzish, e në ato biseda, politika konceptohet në mënyra të ndryshme, por më së paku si diçka pozitive. Politika, zakonisht, cilësohet si diçka negative; qoftë si gënjeshtër, mashtrim, vjedhje, tradhti etj. Krejt këto cilësime për politikën vijnë si pasojë e veprimeve të politikanëve. Nisur nga kjo, ndoshta me të drejtë bëhet ky cilësim.

Ajo që do të duhej të na habiste është: – Pse përkundër të gjitha këtyre botëkuptimeve për politikën, prapë njerëzit bëjnë yrysh në politikë?

Sociologu Max Weber bënte ndarjen, në politikanë që jetojnë nga politika dhe në politikanë që jetojnë për politikën, e si duket në shoqërinë tonë të gjithë duan të jetojnë nga politika. Pra, përkundër fyrjeve e etiketimeve që ua bëjnë politikanëve, duket sikur të gjithë duan të jenë politikanë dhe të jetojnë nga politika. E ajo që më së paku u intereson është fakti se sa janë të përgatitur t’i kontribuojnë politikës. Duket se, ata që e konceptojnë politikën si rrenë, mashtrim, hajni apo tradhti i thonë vetes se edhe ne dimë të rrejmë, dimë të mashtrojmë, dimë të vjedhim, dimë të tradhtojmë, andaj edhe ne mund të kontribuojmë…
Yryshi që i bëhet politikës mund të konsiderohet i rrezikshëm për shoqërinë tonë, për faktin se dalëngadalë nga politika po largohen njerëzit me vlera dhe hapësirën po e ngushtojnë njerëzit e pa vlerë.

Kanë kaluar rreth njëzet vjet nga koha kur dolëm nga një luftë e ashpër, e cila përveç shumë dëmeve në njerëz, shkatërroi në tërësi edhe ekonominë tonë. Kaluan rreth njëzet vjet nga koha kur të gjithë ishim të varfër. Pra, ishim popull i varfër, në një shtet të varfër. Gjatë kësaj periudhe, për rreth njëzet vjet, populli dhe shteti mbetën të varfër, ndërsa politikanët u pasuruan. Madje, u bënë milionerë. Kësaj gjendjeje i kontribuuam të gjithë, në mënyra të ndryshme. Milionerët e dalur nga lufta i mbështetëm ne që i thonim vetes krah i luftës, ndërsa milionerët e paqës u mbështetën nga ata që e cilësonin veten si rugovistë. Pra, milionerët ndahen në dy grupe të mëdha; në një anë “UÇK – istët” si njerëz (hajna) të pushkës, e në anën tjetër “LDK-istët”, si njerëz (hajna) të lapsit. Pas këtyre dy grupeve të mëdha qëndrojnë edhe nëngrupe tjera, të cilat kryesisht përbëheshin nga servilët e tyre, e të cilët nuk janë pak në numër.

Andaj, yryshi që i bëhet politikës nuk di nëse mund të shpjegohet si një lloj lakmie që njerëzit ua kanë këtyre politikanëve milionerë, apo se kjo ka mbetur e vetmja shpresë për të dalur nga varfëria, derisa të gjejnë rrugën për t’ia kthyer shpinën vendit, për të ikur në perëndim a gjetiu.