Zvogëlimi i kafshëve të egra, shkak për mbyllje të sezonit të gjuetisë

Me të njëjtin arsyetim i cili nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ishte përdorur viteve të kaluara, ministri i ri i këtij dikasteri, Besian Mustafa, ka marrë vendim që të mbyllë sezonin e gjuetisë për vitet 2019-2020. Mbyllja e sezonit të gjuetisë thuhet se është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR.

“Mbyllja e sezonit të gjuetisë është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, i cili ka vlerësuar se ka zvogëlim të kafshëve të egra, krejt kjo si pasojë e gjuetisë ilegale, degradimit të habitateve natyrore e sidomos pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe për shkak të menaxhimit joefikas të faunës së egër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas njoftimit sezoni i gjuetisë për të gjitha llojet e kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të mbyllet më 18 shkurt të këtij viti. Këtë vendim thuhet se obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, raporton “Koha Ditore”.

Sezoni i gjuetisë për periudhën 2019-2020 ishte hapur më 13 tetor të vitit 2019 dhe organizimi i gjuetisë gjatë kësaj periudhe është bërë nga menaxherët e vendgjuetive nën mbikëqyrjen e MBPZhR-së dhe komunave.

Ditë më parë gazeta ka shkruar se si sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), faktori njeri është duke çuar drejt zhdukjes së afro 26 mijë e 500 specieve të gjalla në të gjithë botën.

Këtij trendi nuk është duke i shpëtuar as Kosova. Speciet e gjalla janë duke u pakësuar e zhdukur edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave të “Librit të kuq të faunës në Republikën e Kosovës”, nga gjithsej 306 lloje të faunës të përfshira në këtë dokument, për 90 prej tyre ka të dhëna të pamjaftueshme, 80 lloje i takojnë kategorisë gati të kërcënuara, 24 lloje janë në kategorinë të rrezikuara dhe 25 skajshmërish të rrezikuara. Në këtë libër janë përfshirë vetëm llojet, por nuk dihen numrat e secilit lloj veç e veç.

Sipas Librit ende ka mungesa thelbësore për një numër të madh të llojeve sa u përket të dhënave rreth popullatave, numrit të individëve, trendit të tyre dhe faktorëve që i kërcënojnë. Ky thuhet se është një paralajmërim emergjent që të fillohet monitorimi i llojeve të tilla, në mënyrë që llojet të cilat nuk kanë mundur të vlerësohen për kategoritë e kërcënueshmërisë për shkak të mungesës së të dhënave të vlerësohen drejt, siç thuhet, para se ato të rrezikohen në mënyrë të pakthyeshme prej rreziqeve antropogjene dhe të tjera.

Sipas Librit numri më i madh i kërcënimeve për llojet e vlerësuara u takon këtyre grupeve të kërcënimeve: përdorimi i burimeve biologjike, modifikime të sistemeve natyrore, ndryshimi i klimës dhe moti i ashpër, ndërhyrje dhe shqetësime njerëzore, ndotja dhe zhvillimi rezidencial dhe komercial. Ndërkohë prerja dhe vjelja e pyjeve, aktivitetet rekreative të pamenaxhuara mirë, eksploatimi i ujërave sipërfaqësore (veçanërisht për qëllime bujqësore), ujërat e zeza shtëpiake dhe urbane, zhvendosja dhe ndryshimi i habitatit dhe zonat e turizmit dhe rekreacionit, thuhet se janë rreziqet specifike më të shpeshta, që i kërcënojnë llojet e vlerësuara.

Njëzet vjet pas luftës, institucionet nuk kanë një regjistër zyrtar të numrit të secilit lloj të specieve të gjalla që jetojnë në Kosovë. Kjo sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile është njëri prej problemeve më të mëdha që ka të bëjë me natyrën në Kosovë. Nuk dihet as kur do të bëhet një regjistër i tillë.

Ata thonë që edhe udhëzimi administrativ për llojet e mbrojtura i vitit 2012 nuk është duke u zbatuar. Bazuar në këtë dokument, disa prej specieve që bëjnë pjesë në këto kategori janë: ariu, rrëqebulli, gjeli i egër, dhia e egër, kaprojtë, dhelpra e të tjerë.