Anashkalimi i plotë i delegacionit shtetëror të bisedimeve. A do të dorëhiqen bashkëkryesuesit

Që nga shfaqja e divergjencave në skenën ndërkombëtare në lidhje me dialogun dhe rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht divergjencat ShBA-Gjermani, kanë sjell një çoroditje të plotë në skenën politike të Kosovës.

Fillimisht vërejtjet kanë qenë të mëdha me mënyrën e udhëheqjes e madje edhe me vetë udhëheqjen e dialogut nga ana e Presidenti. Për këtë arsye dhe me shumë vështirësi e mospajtime u formua nga ana e Kuvendit delegacioni shtetëror në bashkudhëheqje të Fatmir Limajt (pozitë) dhe Shpend Ahmetit (opozitë).

Por siç do shihet nga veprimet e mëvonshme të krerëve institucional kjo nuk do të jetë aspak zgjidhja e problemit, sepse ky delegacion nuk po respektohet për asnjë çast.

Së pari, udhëheqësit e këtij delegacioni nuk u ftuan fare në takimin e Berlinit, ku tema ishte kryekëput dialogu Kosovë-Serbi dhe mundësia e vazhdimit të tij, dhe, pastaj dje përfaqësuesi i Qeverisë, përkatësisht njeriu më i afërt i Kryeministrit, Avni Arifi u takua fshehtas ose së paku pa asnjë paralajmërim me përfaqësuesin e Serbisë!

Se nuk kanë ditur gjë për këtë e thanë edhe vetë bashkudhëqësit e ekipit shtetëror Limaj e Ahmeti.

Pas këtyre veprimeve, si të presidencës, si të qeverisë lind pyetja: cili vërtet është roli dhe autoriteti i ekipit shtetëror të bisedimeve? A do të dorëhiqen nga udhëheqja e ekipit Limaj e Ahmeti apo do të vazhdojnë ta pranojnë anashkalimin e tillë? Kjo mbetet të shihet. /Fokusi.info/