Bajqinovci i kundërpërgjigjet Krasniqit: Opozita s’mund t’i përcaktojnë zgjedhjet sepse nuk i kanë numrat e as votën e popullit

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për zgjedhje të reja nacionale.

Figura të rëndësishme politike po thonë që ky vit do të përcillet me zgjedhje të parakohshme.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi po thotë se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor.

Kësaj deklarate të tij i është kundërpërgjigjur një deputet i Vetëvendosjes.

Mefail Bajqinovci në një prononcim për Front Online ka thënë se partitë opozitare nuk mund të përcaktojë zgjedhjet, pasi sipas tij, nuk i kanë numrat e as votën e popullit.

“Po bëhen tri vite të Qeverisjes Kurti dhe partitë opozitare çdo tre muaj, çdo tri, çdo të shtune a po në çdo shtator, çdo qershor, e çdo maj janë duke i thënë popullit se do të ketë zgjedhje në këtë muaj, në këtë ditë, në këtë vit. Zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Kurti që zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç e përcakton ligji e jo siç e përcakton opozita, sepse ata edhe nuk i kanë numrat edhe nuk e kanë votën e popullit që të tregoj se kur do shkojnë zgjedhjet”, tha ai për Front Online.

Bajqinovci: Opozita po spekulon, çdo javë e çdo muaj thonë se do të ketë zgjedhje

Deklaratat nga opozita për zgjedhje të parakohshme, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, i ka quajtur spekulime.

Deputeti i pushtetit për Front Online ka thënë se përveç atyre të rregullta, zgjedhje të tjera nuk ka.

“Unë mendoj që deklaratat opozitare se do të kemi zgjedhje çdo tri javë, apo në çdo muaj, atë se çka mund të them se në fund të këtij viti edhe ashtu zgjedhjet janë të rregullta, pra në dhjetor ose në janar do t’i kemi zgjedhjet e rregullta, dhe kështu që për të thënë se do të kemi zgjedhje në shkurt e pranverë e në verë, ato janë vetëm spekulime dhe asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Sipas tij, zgjedhjet e rregullta do të jenë më së largu në janar të vitit 2025.

“Pra punën Qeveria është duke e vazhduar dhe do ta vazhdojë deri në fundvit ashtu siç e ka marr besimin me popullin. Zgjedhjet e rregullta do të jenë ose në dhjetor, ose në janar të vitit të ardhshëm gjë që përcaktohet edhe me ligj një muaj para 14 shkurtit, siç është me rregullore”, tha ai për Front Online

Bajqinovci: Raportet e BE-së tregojnë që Qeveria Kurti është e pa korruptuar, PDK-LDK- AAK ishin zi e ma zi

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 2023-ta është edhe një vit tjetër i humbur për Kosovën, pasi nuk ka përparim në asnjë nga sektorët, për shkak të gabimeve edhe paaftësisë së Qeverisë Kurti.

Edhe për këtë deklaratë, deputeti i pushteti, Mefail Bajqinovci iu kundërpërgjigj kreut të PDK-së.

Ai për Front Online tha që raportet ndërkombëtare tregojnë se si është Qeveria Kurti.

Sipas tij, partitë e tjera që kanë qenë në pushtet ishin vetëm me skandale.

“Në qeverisjen e Thaçit kemi pasur regres në krejt raportet ndërkombëtare, në qeverisjen e Kurtit më në raportet ndërkombëtare të BE-së tregon që kjo Qeveri është e pa korruptuar, qeveri e cila e lufton krimin e jo qeveri që kanë dhënë raportet kur kanë qenë PDK, LDK, AAK në raportet ndërkombëtare zi e ma zi. Pra, skandalet kanë qenë të theksuara, të argumentuara”, u shpreh ai për Front Online.

Bajqinovci ka thënë se me këtë Qeveri janë bërë përparime, sidomos në pjesën e veriut.

Ai thotë se partitë opozitare për 20 vjet e kanë mbajt veriun të pakontrolluar.

“Kur jemi tek përparimet, mund të themi lirshëm se kemi pas shumë përparime në të gjitha fushat, duke filluar nga fusha e sigurisë ku kemi vendos rend dhe ligj në veriun e vendit, strukturat paralele i kemi larguar dhe disa janë në burg dhe një pjesë e tyre kanë ikur jashtë Kosovës, dhe e kemi gjënë që e shihini në veriun e vendit sot i ke tabelat e vendosura, sot ka filluar të maten njehsorët, po ashtu e kemi policinë prezente në të gjitha pjesët e veriut, dhe unë nuk e di çka mund të them kur ata 20 vjet e kanë mbajt një pjesë të territorit të Kosovës të pakontrolluar”, ka thënë ai për Front Online.